Secondary Adv

Nis Java Globale e Sipërmarrjes, Ibrahimaj: Në 2027 krijohet Fondi Shqiptar i Inovacionit

Shqipëria numëron mbi 300 startup-e, ndërsa financimi publik për sipërmarrjet inovative arriti në 600 milionë lekë vitin e kaluar. Ministrja Delina Ibrahimaj njoftoi krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit gjatë vitit 2027.

Shqipëria numëron tashmë mbi 300 startup-e që kanë zhvilluar produkte dhe synojnë zgjerimin e aktivitetit në tregjet ndërkombëtare, ndërsa financimi publik për mbështetjen e sipërmarrjeve inovative arriti vitin e kaluar në 600 milionë lekë. Për vitin 2027, qeveria synon krijimin e Fondit Shqiptar të Inovacionit, një instrument i ri financiar që pritet të zgjerojë mundësitë e mbështetjes për bizneset inovative.


Këto zhvillime u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë hapjes së Javës Globale të Sipërmarrjes 2026 në Tiranë, e cila nisi me Konferencën Rajonale “Inovacioni në Ballkanin Perëndimor”.


Sipas ministres, ekosistemi shqiptar i startup-eve ka shënuar një zhvillim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit, duke kaluar nga një sektor pa regjistër dhe tregues të qartë në një ekosistem me qindra sipërmarrje që kanë zhvilluar produkte dhe po kërkojnë mundësi për zgjerim.


“Sot jam shumë krenare që mund të themi se kemi një ekosistem të konsoliduar, me më shumë se 300 startup-e që kanë krijuar një produkt, vijojnë rrugëtimin e tyre, po zgjerojnë aktivitetin dhe po synojnë të dalin përtej kufijve të Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, deklaroi Ibrahimaj.


600 milionë lekë financime për startup-et, 43 produkte kanë dalë në treg

Një nga treguesit kryesorë të mbështetjes shtetërore është rritja e financimeve për sipërmarrjet inovative. Sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja, gjatë vitit të kaluar fondi i financimit u dyfishua, duke arritur në 600 milionë lekë, nga të cilat përfituan rreth 170 startup-e.


Nga sipërmarrjet e mbështetura përmes kësaj skeme, 43 produkte kanë dalë tashmë në treg dhe janë funksionale. Gjithashtu, financimi përfshiu edhe tetë organizata lehtësuese të ekosistemit, të cilat ofrojnë mentorim, asistencë dhe mbështetje për zhvillimin e bizneseve të reja.


Këto rezultate tregojnë një zgjerim të mbështetjes publike për inovacionin, ndërsa një nga sfidat kryesore mbetet kthimi i produkteve të zhvilluara në biznese të qëndrueshme, me të ardhura dhe kapacitete për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.


Fondi Shqiptar i Inovacionit synohet të krijohet në vitin 2027

Për vitin 2027, një nga objektivat kryesorë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit është ngritja e Fondit Shqiptar të Inovacionit. Ky mekanizëm synon të krijojë një instrument të ri financimi, të ngjashëm me modelet që funksionojnë në vende të tjera europiane.


“Ky do të jetë një tjetër instrument financimi, i cili ekziston në vende të tjera, por që deri më sot nuk ka qenë i pranishëm në Shqipëri. Do të punojmë për krijimin e tij në bashkëpunim me partnerët tanë”, deklaroi Ibrahimaj.


Sipas saj, krijimi i fondit është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes, ndërsa synimi është që mekanizmi të jetë ngritur gjatë vitit 2027.


Një tjetër nismë e paralajmëruar është hapja e Akademisë së Startup-eve, e cila do të ofrojë programe edukimi, trajnimi dhe zhvillimi të aftësive sipërmarrëse për individët dhe bizneset inovative në të gjithë vendin.


Mbështetje për ndërkombëtarizimin e startup-eve dhe zhvillimin e GovTech

Në fokus do të jetë edhe ndërkombëtarizimi i startup-eve shqiptare, përmes pjesëmarrjes në panaire, aktivitete ndërkombëtare dhe krijimit të lidhjeve me investitorë e institucione të huaja.


Ministrja përmendi bashkëpunimin me Departamentin e Senatit të Berlinit për Çështjet Ekonomike, Energjinë dhe Ndërmarrjet Publike, si dhe me institucionin publik francez të investimeve, Bpifrance, si mundësi për forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të ekosistemit shqiptar të inovacionit.


Një tjetër drejtim i politikave për sipërmarrjen inovative do të jetë zhvillimi i GovTech, përmes të cilit synohet përfshirja më e madhe e startup-eve në ofrimin e zgjidhjeve teknologjike për sektorin publik.


Kjo qasje synon të krijojë mundësi që kompanitë inovative të zhvillojnë produkte dhe shërbime për institucionet shtetërore, në përputhje me rregullat dhe procedurat e Bashkimit Europian.


Gjatë konferencës, Ibrahimaj theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të rrisin potencialin e tyre ekonomik dhe teknologjik përmes projekteve të përbashkëta.


“Ne mund të bëjmë pak kur punojmë të vetëm, por mund të arrijmë shumë më tepër kur bashkëpunojmë. Jemi vende të vogla dhe secili prej nesh nuk mund të ketë kapacitete dhe ekspertizë në çdo sektor. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ndërlidhemi, të ndajmë përvojat dhe të ndërtojmë së bashku”, u shpreh ministrja.


Java Globale e Sipërmarrjes, 43 aktivitete në katër qytete

Java Globale e Sipërmarrjes 2026 zhvillohet nga 16 deri më 22 nëntor në Tiranë, Korçë, Pogradec dhe Vlorë, nën moton “Ndërto nga Shqipëria”.

Edicioni i katërt përfshin rreth 43 aktivitete, mes konferencave, trajnimeve, workshop-eve, masterclass-eve dhe takimeve me investitorë e ekspertë ndërkombëtarë.


Aktivitetet synojnë të nxisin kulturën sipërmarrëse, të promovojnë inovacionin dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet sipërmarrësve, investitorëve dhe institucioneve.


Java Globale e Sipërmarrjes organizohet për të katërtin vit radhazi nga Startup Albania, pjesë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, me autorizimin e Global Entrepreneurship Network (GEN).

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat